Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka bërë të ditur për aderimin më të ri në këtë parti para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se nga sot pjesë e partisë së tij është Shenaj Shala.
Postimi i plotë:
E lindur në Prishtinë në vitin 1979, Shenaj Shala është eksperte e protokollit ndërkombëtar, konsulente e mirësjelljes, dhe trajnere e shkathtësive të buta. Gjatë qeverisjes, Shenajin e emërova Shefe të Protokollit dhe Këshilltare të Jashtme Politike.
Studimet e nivelit master Shenaj i ka përfunduar në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD), ndërsa në vitin 2020 u emërua ligjëruese për imazh dhe konsulencë politike në po të njëjtin institut.
Mes viteve 1999-2013, Shenaji punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si Asistente Personale e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ndërsa në vitet 2013-2015 ishte koordinatore e qendrës së trajnimeve në Shell Oil & Petroleum për Lindjen e Mesme. Shenaj Shala nga sot është anëtare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe bashkë me të e shumë të tjerë, përfaqësimi ynë në institucionet e shtetit do të jetë i drejtë e i mirë.