Donald Trump ka shkarkuar këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, dhe në mediat amerikane tashmë janë shfaqur emrat e kandidatëve që mund ta zëvendësojnë ish-ushtrakun.

Sipas shkrimit të Politico, ndër kandidatët është edhe ish-i dërguari i posaçëm i Trumpit për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Grenell është padyshim një emër i njohur në Ballkanin Perëndimor. Ai shpesh komenton zhvillimet në Kosovë dhe serbi.

Njihet gjithashtu për mbështetjen ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë, por edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe për kritikat e shpeshta ndaj kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Albin Kurti.

Steve Witkoff dhe Donald Trump

Përveç Grenellit, kandidat për pozitën e Waltzit është edhe Steve Witkoff, të cilin Trump fillimisht e emëroi si të dërguar të posaçëm për Lindjen e Mesme, e më pas për zgjidhjen e konfliktit ruso-ukrainas.

Witkoff njihet për qëndrimet pro-ruse, si dhe për idenë që lufta të përfundojë duke përmbushur të gjitha kushtet që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka vënë Ukrainës dhe SHBA-së.

Ndër kandidatët e tjerë dallohen zëvendësshefi i kabinetit të Trumpit, Stephen Miller, i njohur për qëndrimet mjaft radikale të djathta që shpesh i shpreh në rrjetet sociale, si dhe Sebastian Gorka, ekspert për sigurinë kombëtare.

Kujtojmë se Waltz është shkarkuar për shkak të një sërë skandalesh dhe gafash, dhe i pari ndër to ishte një bisedë në grup në aplikacionin Signal, ku ai gabimisht kishte shtuar gazetarin e The Atlantic, Jeffrey Goldberg.

Fillimisht Trump e kishte mbështetur Waltzin, por duket se përmasat e këtij skandali ia kushtuan atij vendin në administratë

Related Posts