Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së premtes e cila u përcoll me shumë tensione e debate, nuk ka certifikuar listat e deputetëve të LVV’së, AAK’së dhe Nismës, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo për shkak se këto subjekte nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve që kanë probleme me Ligjin apo janë të dënuar me formë të shkallës së prerë në tri vitet e fundit.
Pas moscertifikimit, partitë politike janë ankuar të shtunën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku tashmë janë duke u shqyrtuar ankesat e tyre.
Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP’së, Mul Desku, ka deklaruar se afati është deri të martën, por nuk dihet se kur do të merret vendimi.
“Afat kemi deri nesër, kur do të vendosen nuk mund të paragjykoj sepse vendimet i marrin anëtarët (gjyqtarët) e PZAP-it”, ka thënë Desku.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit të PZAP’it, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.
“Pas paraqitjes së ankesave, PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten dhe sigurisht se ne si KQZ do të presim për vendimmarrjen e këtij institucioni”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
Në mbledhjen e së premtes, KQZ ka certifikuar listat e partive politike të cilat kanë zëvendësuar kandidatët që kishin probleme me Ligjin.
Në mesin e partive të cilave iu është certifikuar lista me kandidatët për deputetë janë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, pasi këto dy parti kanë zëvendësuar me kohë kandidatët që kishin probleme me Ligjin.
Të certifikuara janë edhe Lista “Romani Iniciativa”, JGP, PREBK, SDU, Partia Balliste, IRDK, KDTP, PAI, NDS, VAKAT, FJALA.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen me 14 shkurt.