SHBA-ja dhe Kina kanë rënë dakord të ulin ndjeshëm tarifat për mallrat e njëra-tjetrës për 90 ditë, pas negociatave të tyre fundjavën e kaluar.
Njoftimi vjen pas një fundjave negociatash maratonë tregtare në Gjenevë të Zvicrës nga zyrtarë të dy ekonomive më të mëdha në botë.
Siç vë në pah CNN, përcjell Telegrafi, SHBA-të do të ulin përkohësisht tarifat e tyre për mallrat kineze nga 145% në 30%, ndërsa Kina do të ulë tarifat e saj për importet amerikane nga 125% në 10%, sipas deklaratës së përbashkët.
Të dyja palët ranë dakord gjithashtu të krijojnë “një mekanizëm për të vazhduar diskutimet rreth marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare”, të udhëhequra nga zëvendëskryeministri kinez He Lifeng dhe Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent dhe Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer.
“Këto diskutime mund të zhvillohen alternativisht në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara, ose në një vend të tretë me marrëveshje të palëve. Sipas kërkesës, të dyja palët mund të zhvillojnë konsultime në nivel pune mbi çështjet përkatëse ekonomike dhe tregtare”, citohet të jetë thënë në një deklaratë.
Kjo vlerësohet si një ulje e ndjeshme e tensioneve në luftën tregtare që shpërtheu muajin e kaluar.
Para kësaj marrëveshjeje, SHBA-të kishin ngritur tarifën e tyre ndaj Kinës në 145% (duke përfshirë tarifën prej 20% të shtuar për të trajtuar importet e fentanilit në SHBA), me Pekinin që u kundërpërgjigj me tarifa prej 125% për importet amerikane.
Siç theksojnë mediat, Bessent u ka thënë gazetarëve se “të dyja palët treguan respekt të madh” gjatë bisedimeve të tyre dhe se “të dyja kemi interes për një tregti të ekuilibruar”.
Bessent gjithashtu ka thënë se në bisedimet e fundjavës së kaluar pati një konsensus nga delegacionet e SHBA-së dhe Kinës se “asnjëra palë nuk dëshiron një shkëputje”.
Bessent ka shtuar se SHBA-të duan një tregti më të ekuilibruar dhe ai mendon se të dyja palët janë të përkushtuara për ta arritur këtë.