Zyrtari policor, Haris Kelmendi është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se gjatë vitit 2018, ka keqtrajtuar fizikisht një 18-vjeçar, në stacionin policor në Prishtinë.
Gjatë ditës së djeshme në mediat vendore doli një video ku shihej polici Haris Kelmendi, duke ushtruar dhunë fizike ndaj 18 vjeçarit, Leotrim Rama, i cili ishte ndaluar për kundërvajtje.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati i Naim Rudari.
Ai tha për Express, se Prokuroria ka urdhëruar që ky i fundit të arrestohet sërish dhe të dërgohet në ndalim policor për 48 orë.
Rudari deklaroi se mbi Kelmendin rëndon akuza për veprën penale “Pengim i te provuarit”.
“Po ai është arrestuar sot. Prokuroria Themelore në Prishtinë në mënyrë të padrejtë i ka kërkuar që të paraqitet në stacionin policor. Ai është ndaluar për 48 orë, për veprën penale ‘Pengim i të provuarit”, ka thënë ai.
Më tutje avokati konfirmoi se Kelmendi është i përfshirë dhe duke u hetuar edhe në një rast tjetër, për të cilin theksoi se nuk ka shumë informacione.
Kujtojmë që viktima e këtij rasti, Leotrim Rama, ka dëshmuar në Policinë e Kosovës, se zyrtari policor, Haris Kelmendi ka ushtruar presion ndaj tij për ta ndryshuar deklaratën.
Haris Kelmendi u arrestua edhe me 28 janar nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, por i njëjti u lirua më pas.
Në ndërkohë Leutrim Rama në një postim në “Facebook”, ka sqaruar edhe se si ka ndodhur rasti në 2018.
Ai ka thënë se në video-incizim shihet fundi i rrahjes që sipas tij kishte filluar 2 orë më parë nga policët.
“Pra, siç shihet ne kete video 10-15 sekondëshe keqtrajtimi, malltretimi, dhuna psiqike dhe fizike ketu ka qene fundi i rrahjes sime 2 oreshe nga te gjith policet e ndrrimit te asaj nate”, ka shkruar ai në Facebook.