Deklarata e Granit Xhakës për një rikthim të mundshëm te skuadra e Baselit ka zgjuar reagime të shumta në futbollin zviceran, sidomos pasi u bë në një ditë të veçantë për familjen e tij – në nder të vëllait të madh, Taulant Xhaka, i cili u përshëndet nga futbolli aktiv të shtunën.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe pronari i FC Basel, David Degen, i cili ka bërë të ditur se për momentin nuk ka bisedime konkrete për rikthimin e kapitenit të Zvicrës.

“Është një nder që ai e thotë këtë. Por ai ka kontratë deri në vitin 2028. Ne nuk e kemi menduar kurrë më parë këtë çështje. Graniti është lojtar shumë i mirë i Leverkusenit. Jemi të nderuar nga deklarata e tij, por unë nuk ndiej asnjë presion. Ne vazhdojmë rrugën tonë”, ka thënë Degen për gazetën zvicerane “20 Minuten”.

Pavarësisht rezervës së drejtuesve të klubit, entuziazmi për një bashkim të dyshes Xhaka–Shaqiri nuk mungon. Edhe vetë Xherdan Shaqiri, i cili u rikthye te Baseli në gusht të vitit të kaluar, është shprehur pozitivisht për idenë që të luajë sërish me bashkëlojtarin e tij historik.

“Një rikthim i Granit Xhakës do të ishte një ëndërr për shumë njerëz dhe sigurisht edhe për mua. Nuk e di se çfarë po planifikon menaxhmenti i Baselit. Por jam shumë i lumtur dhe i befasuar”, ka thënë Shaqiri.

Granit Xhaka, 32 vjeç, kishte luajtur për Baselin në periudhën 2009-2012, ndërkohë që Shaqiri ishte pjesë e klubit nga viti 2010 deri më 2012, para se të niste karrierën në Bundesliga dhe më pas në Angli dhe SHBA.

Të dy futbollistët kanë qenë figura kyçe për sukseset e përfaqësueses së Zvicrës në dekadën e fundit. Shaqiri u pensionua nga kombëtarja pas përfundimit të Evropianit 2024, ndërsa Xhaka mbetet lider i skuadrës dhe bartës i shiritit të kapitenit.

Related Posts