Kryetarja e Alternativës dhe kandidatja në listën e Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë që sigurimi i vaksinave anti-Covid do të jetë prioriteti kryesor i Qeverisë Kurti.
Kusari-Lila në Rubikon në Klan Kosova, tha se deri në fund të vitit parashihet vaksinimi i 60% të qytetarëve, por pa dhënë detaje si si do t’i sigurojnë vaksinat.
“Ajo që është paraparë është se vaksinat anti-Covid do të jenë në top agjendë të Qeverisë Kurti, kontakti dhe komunikimi me të gjitha organizatat dhe kompanitë relevante për të siguruar vaksinat e domosdoshme dhe është vlerësuar edhe në bazë të ekspozimit të punëtorëve shëndetësor dhe të grupeve që janë më fragjile, qoftë në kuadër në grupmoshave, qoftë në kriteret tjera shëndetësore, që deri në fund të vitit do të bëhen përpjekje maksimale për t’u vaksinuar deri në 60% të popullatës.
“Viti 2021 nuk mund ta përmbyllë procesin e vaksinimit as në Kosovë e as në rajon. Është marrë një statistikë që Kosova të shkojë paralelisht me vendet e rajonit, megjithatë jemi vonë. Duhet përpjekje nga niveli i kryeministrit, ministrit të Shëndetësisë dhe tërë kabinetit që në procedura të përshpejtohet dhe të kërkohet ajo se çfarë është e domosdoshme për sigurimin e kësaj përqindje” tha Kusari-Lila.
Ajo u shpreh e bindur se ekziston një plan konkret për realizimin e kësaj objektive, duke shtuar se ajo vetë nuk ishte e përfshirë në hartimin e planit për këtë çështje.
“Përpjekja kryesore do të jetë me OBSH–në dhe me kompanitë në mënyrë që Kosova të mos mbesë prapa nga vendet e rajonit. Kjo është pjesë e programit, pjesë e diskutimit, ne i kemi pasur të ndara temat në të cilat kemi kontribuar, personalisht kam qenë e angazhuar në pjesën e ekonomisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë, por edhe në grupin e përbashkët të kryeministrit e cila në dy gjëra që është diskutuar se do të jenë top prioritet është, e para sigurimi dhe komunikimi me kompani dhe organizata për vaksinim, dhe e dyta çështja e pagesave që edhe ne e kemi mbështetur në buxhetin e vitit 2021. Pra është votuar buxheti me 40 milion dhe të tjerat që duhet të jenë në dispozicion”.
“Ajo që do të jetë në raport me vaksinën dhe domosdoshmërinë e sigurimit të më shumë mjeteve, do të jetë sigurimi i buxhetit si hapi i parë i Qeverisë Kurti, bashkë me përgatitjen e programit qeverisës në të cilin do të shikohen të gjitha mundësitë për lirimin e fondeve për shtim edhe të buxhetit të shëndetësisë, është paraparë me program që në katër vitet e para çdo vit të shtohet buxheti i shëndetësisë deri në 40 milion euro dhe gjithashtu të ngiten kapacitetet në mënyrë që të ballafaqohemi jo vetëm me këtë pandemi por edhe të tjera që mund të jenë evidente, sepse virusi mund të mos largohet aq shpejtë sa e kemi pritur dhe virusi mund të pësoj prapë ndryshime”, shtoi Kusari-Lila.