Babë e bijë me ngjitjen më të shpejtë në Seven Summits në histori. Tashmë është bërë zyrtare! Mrika dhe Arianit Nikçi janë tashmë pjesë e Librit të Rekordeve Guinness, si babë e bijë që më së shpejti në histori kanë ngjitur shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës – të njohura si Seven Summits.

Ata realizuan këtë sfidë për një vit e 202 ditë, prej datës 25 janar 2018 e deri me 15 gusht, 2019.

Ky vlerësim botëror konfirmon arritjen e jashtëzakonshme të dy alpinistëve shqiptarë, të cilët brenda vetëm kësaj periudhe kohore ngjitën majat më të larta të çdo kontinenti: Everest, Aconcagua, Denali, Kilimanjaro, Elbrus, Carstensz Pyramid dhe Vinson Massif.

Ky rekord duhet të vlerësohet veçanërisht, sepse vjen nga një vend i vogël si Kosova, një shtet i ri në skenën ndërkombëtare, por me njerëz që dëshmojnë guxim, përkushtim dhe standarde botërore.

Për shqiptarët kudo që janë, ky sukses është një burim krenarie dhe frymëzimi, duke treguar se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme kur mbështetet me vullnet dhe përkushtim.

Ky është një moment historik për Kosovën dhe shqiptarët, pasi për herë të parë emri i vendit tonë vendoset në Librin e Rekordeve Guinness për një arritje të këtij niveli në sportin ekstrem të alpinizmit. Ky rekord është një dëshmi e fuqishme e potencialit dhe vlerave që populli shqiptar përfaqëson në botë.

Mrika Nikçi u bë gjithashtu femra më e re në botë që ngjiti këto maja, ndërsa Arianit Nikçi udhëhoqi këtë rrugëtim si alpinist dhe prind i përkushtuar. Së bashku, ata kanë dëshmuar se ëndrrat bëhen realitet përmes guximit, disiplinës, përkrahjes familjare dhe dashurisë për natyrën.

“Kjo është një mirënjohje që shkon për të gjithë ata që besuan në rrugëtimin tonë, dhe një mesazh për të rinjtë: vendosmëria dhe pasioni mund të tejkalojnë çdo kufi”, tha Mrika pas konfirmimit të rekordit.

“Ky nuk është thjesht një sukses personal, por një vlerësim për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Jemi krenarë që kemi ngritur lart flamurin tonë në shtatë majat më të larta të shatë kontinenteve  dhe tani edhe në historinë e rekordeve botërore”, shtoi Arianiti.

Related Posts