Teksasi ka marrë vendim për të shfuqizuar masën për vendosje të maskës dhe bizneseve do t’iu lejohet të punojnë me kapacitet të plotë nga java tjetër, ka thënë guvernatori i këtij shteti, Greg Abbott.
“Është koha që ta hapim tani Teksasin 100 për qind”, ka thënë republikani të martën.
Teksasi është shteti më i madh në Shtetet e Bashkuara që i jep fund masës për vendosje të maskës.
Abbott është përballur me kritika nga partia e tij për këtë masë, e cila është zbatuar nga muaji korrik i vitit të kaluar.
Mirëpo administrata e presidentit amerikan Joe Biden, e ka bërë të qartë se kufizimet për coronavirus janë ende të nevojshme.
Ky njoftim nga Teksasi ka ardhur teksa masa të ngjashme janë shfuqizuar edhe në shtetet tjera, përfshirë Miçiganin, Luizianën dhe Misisipin, ku nuk do të kërkohet vendosja e maskës.
Procesi i vaksinimit kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton coronavirusi, ka rritur besimin për kthim të jetës para pandemisë në SHBA.
Presidenti Biden ka thënë të martën se SHBA-ja do të ketë mjaftueshëm vaksina për secilin person të rritur, deri në fund të majit.
Megjithatë, vala e rihapjeve në disa shtete është në kundërshtim me kërkesat e administratës Biden dhe zyrtarëve të lartë shëndetësorë, që kanë reaguar me kritika ndaj relaksimit të maskave kundër coronavirusit.
Drejtorja e Qendrës amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Rochelle P. Walensky, ka paralajmëruar për një “valë të katërt potenciale të rasteve” nëse vendi ia lejon vetes vetëkënaqësinë.
Të dhënat e fundit në SHBA tregojnë se ndonëse shkalla e të infektuarve dhe të vdekurve ka rënë në javët e fundit, numri i të infektuarve vazhdon të jetë i lartë në krahasim me vendet tjera.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet amerikane kanë regjistruar deri më tani mbi 28 milionë persona të infektuar me coronavirus. Prej tyre, 516,000 pacientë kanë vdekur. /Rel/