“Ne e dimë se ku është ‘Udhëheqësi Suprem’. Nuk do ta vrasim tani, por paralajmërojmë kundër sulmeve ndaj civilëve ose ushtarëve amerikanë – durimi është i pakët”.
Deklarata e fundit e presidentit amerikan, Donald Trump, hedh hije dyshimi se një sulm i mundshëm ndaj Iranit, duket tashmë i pashmangshëm nga SHBA-të.
“Udhëheqësi Suprem i Iranit është një shënjestër e lehtë”, tha konkretisht Trump.
Ai po ashtu tha se SHBA-të dhe Izraeli kanë kontrollin e plotë mbi qiellin e Iranit.
“Tani kemi kontroll të plotë mbi qiellin e Iranit. Ata kishin shumë pajisje, por asgjë nuk i tejkalon ‘gjërat’ e prodhuara në Amerikë. Askush nuk e bën këtë më mirë se SHBA-të”, përshkroi presidenti amerikan.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë me dije po ashtu se presidenti amerikan, Donald Trump, po peshon mundësinë e një sulmi mbi Iranin, duke iu bashkuar kështu fushatës së Izraelit.
Merz e bëri të qartë se SHBA-të po shqyrtojnë seriozisht pjesëmarrjen e tyre në sulme, teksa tha se vendimet ndoshta do të merren në të ardhmen e afërt.
Më herët, ishte Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance, ai i cili tha se presidenti Donald Trump “mund të vendosë se duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme” për t’i dhënë fund programit bërthamor të Iranit.
Në një postim në mediat sociale, ai thotë se Irani ka “pasuruar uranium shumë mbi nivelin e nevojshëm për çdo qëllim civil” dhe se presidenti i SHBA-ve “mund të vendosë se duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për t’i dhënë fund pasurimit iranian”.
Vance vlerëson “përmbajtjen e Trump në mbajtjen e fokusit të ushtrisë sonë” në mbrojtjen e trupave dhe civilëve, dhe thotë se ende nuk ka “parë asnjë argument të mirë pse Irani ishte i justifikuar në shkeljen e detyrimeve të tij për mospërhapje”.
Ai përfundon me një siguri se Trump “është i interesuar vetëm të përdorë ushtrinë amerikane për të arritur qëllimet e popullit amerikan.
“Çfarëdo që të bëjë, ky është fokusi i tij”.
Thirrja e Trump për evakuimin e Teheranit mund të jetë megjithatë “një taktikë për të ushtruar presion mbi regjimin”, thotë një ish-drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.
Javed Ali, i cili ishte në Këshillin Kombëtar të Sigurisë gjatë mandatit të parë të Trump, thotë se vetëm Trump mund të zbulojë se çfarë nënkuptonte komenti i tij, por evakuimi i një qyteti me 10 milionë banorë “nuk duket shumë i realizueshëm”.
Fakti që Trump e ka shkurtuar udhëtimin e tij në G7 dhe “ka thirrur një takim të plotë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare” është domethënës, thotë Ali për programin Today të BBC Radio 4
Këto takime ndodhin vetëm kur presidenti i thërret vetë, ose kur këshilltarët e tij besojnë se “situata është aq serioze saqë ky lloj takimi është i nevojshëm”.