Korporata Energjike e Kosovës ka njoftuar se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar rikthim në operim.
Lidhur me këtë, KEK sqaron se shartimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes (nga ku doli tym i madh i zi), është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3–4 orë.
“Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies – që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet”, njofton KEK-u përmes një komunikate për media.
Sipas KEK-ut, kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit.