Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka kërkuar nga Policia e Kosovës nisjen e procedurës disiplinore ndaj zyrtarit policor Betim Hasi.
Krejt kjo që tregoi se si Hasi në një koment në rrjete sociale përkrahu dhunën fizike të të dyshuarve kolegëve të tij, ndaj një personi në Klinë.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se në kuadër të mandatit të vet ligjor për hetim dhe mbikëqyrje të sjelljes së zyrtarëve policorë dhe garantim të standardeve etike dhe profesionale brenda Policisë së Kosovës ka kërkuar nga Policia që të iniciohet procedurë disiplinore ndaj zyrtarit policor në fjalë për sjellje të papërshtatshme dhe dyshim për kryerje të shkeljes së rëndë disiplinore”-thuhet në përgjigjen e IPK-së
KALLXO.com.
Betim Hasi shkurt për KALLXO.com ka thënë se llogaria e tij nuk është aktive tash e disa ditë.
“Nuk jam person që shpërndaj në rrjete sociale as mirë, as keq. Kam qenë duke fjetë dhe e pashë që më kishin thirrë shumë persona edhe kolegë. Nuk kam qasje në të, e njoftova edhe hierarkinë edhe standardet, edhe IT në institucionin ku punoj”- tha Hasi përmes telefonit.
Betim Hasi, zyrtar policor në Gjakovë, në rrjete sociale ka përkrahur dhunën fizike që kolegët e tij dyshohen se përdorën ndaj një personi në Klinë.
Në njërën nga faqet online në të cilën u publikua video-incizimi, derisa shihej se si bëhej arrestimi i një personi e më pas edhe sulmi fizik ndaj tij, Hasi ka shkruar një koment, duke thënë se rrahja sipas tij ishte meritore.
I ka shajte edhe e kane rre, rrahje meritore, tjeter here zyrtareve policore ju uroj fat ne lokacion pa kamera” – theksohet në komentin e tij.
Hasi është gjithashtu djali ish-eprorit policor në Gjakovë, Ahmet Hasi, ndërsa vetë ai shërben në Policinë e Kosovës që nga viti 2018.
Gjithashtu Hasi ishte në mesin e të suspenduarve katër vite më parë për një rast që pretendohej për rrahjen e një qytetari që ishte futur në të kuqe me veturë në semafor dhe se Hasi bashkë me kolegët e tij dyshohej se e kishin rrahur personin që kishte kryer kundërvajtje.
mësohet se ka qenë vëllai i viktimës ai që ka raportouar rastin pasi që viktima ishte arrestuar dhe dërguar në ndalim.
Viktima i cili në këtë rast ishte i dyshuar për Policinë dyshohej për kanosje dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë.
Në bazë të këtij interpretimi, sipas Shkodran Nikçit – zëdhënës i Prokurorisë së Pejës, Prokuroria kishte ndaluar për 48 orë personin në fjalë.
Por më pas, Prokuroria ka pranuar informatat dhe provat tjera dhe bashkë me Inspektoratin Policor të Kosovës janë analizuar dhe është konstatuar se ka elemente të veprës penale.
“Mirëpo kemi pranuar informatat dhe provat bashkë me IPK-në i kemi analizuar dhe ka dalë që ka elemente të veprës penale të keqtrajtimit, dhunës fizike gjatë prangosjes së personit të pandehur. Personi i pandehur është liruar dhe është intervistuar në cilësinë e viktimës, ndërkaq tre zyrtarët policorë pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë” – ka thënë Nikçi.
Fillimisht, për tre policët në fjalë IPK kishte rekomanduar suspendimin.