Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë përfunduar të premten takimet konsultative me subjektet politike.
Në një deklaratë të lëshuar për media nga Lëvizja Vetëvendosje thuhet se Kurti dhe Osmani u kanë kërkaur partive politike konstruktivitet duke qëndruar në sallë derisa votohen për tri institucionet më të rëndësishme të vendit: kryeparlamentari, kryeministri dhe presidenti, njofton Klan Kosova.
“Takimet kanë nisur të në fillim të javës me kryetarë dhe përfaqësues të partive politike: PDK, LDK, AAK, KDTP, NDS, IRDK, VAKAT, PAI, SDU, LPRK, Lista Serbe, JGP dhe Romani Iniciativa. Me të gjitha palët, takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive. Përgjatë këtyre takimeve, z.Kurti dhe zonja Osmani i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit”, thuhet në komunikatë.
“Në këtë kontekst, të dy kandidatët u kanë ofruar subjekteve politike bashkëpunim për çështje të interesit nacional. Ata kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti”.
Në njoftim thuhet se në përmbyllje të takimeve, Kurti dhe Osmani kanë shfaqur optimizmin që ky proces të përmbyllet me sukses dhe në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit.