Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është vënë në qendër të kritikave pas një incidenti verbal gjatë një mbledhjeje të Kuvendit Komunal, ku akuzohet se ka përdorur gjuhë fyese dhe seksiste ndaj një gruaje asambleiste, pas kërkesave të saj për llogaridhënie lidhur me konkurset publike dhe keqmenaxhimin në komunë.

Sipas deklaratës së asambleistes, në vend që të ofronte sqarime për çështje me interes publik, përfshirë konkurset me prapavijë familjare, kryetari Latifi ka zgjedhur të reagojë me arrogancë dhe fyerje, duke i thënë:
“Ju jeni gjizë.”

Ajo thekson se përballë mungesës së argumenteve dhe refuzimit për transparencë, kryetari tentoi ta ofendonte publikisht, madje duke bërë edhe nënkuptime për familjen e saj të gjerë, që sipas saj është një familje me kontribut të madh në Rahovec dhe më gjerë.

Asambleistja u shpreh se kjo nuk ishte një përballje politike, por një sulm personal i drejtuar ndaj një gruaje që kërkon përgjegjësi nga drejtuesit komunalë.

“Ky është mentaliteti i një njeriu që, në mungesë argumentesh, përdor fyerje banale për të heshtur zërin e qytetarit. Por unë nuk do të hesht. Jam krenare për familjen time dhe për kontributin që kemi dhënë në këtë qytet”, ka thënë ajo.

Ajo shton se babai i saj ishte një profesor i fizikës, ndër të parët në Kosovë, dhe i ndjekur politikisht për qëndrimet e tij kombëtare  në kontrast të plotë me ata që sot, sipas saj, përdorin pushtetin për përfitime personale dhe pasurim të grupeve të interesit.

Deri në momentin e publikimit, zyra e kryetarit Smajl Latifi nuk ka ofruar asnjë koment zyrtar lidhur me këto akuza. Organizatat për të drejtat e grave dhe shoqëria civile pritet të reagojnë mbi këtë çështje që ngre shqetësime serioze për gjuhën dhe etikën e komunikimit institucional ndaj grave në politikë.

https://www.facebook.com/watch/?mibextid=wwXIfr&v=763397242923605&rdid=tfaPZAJX7M28VTAP

Related Posts