Në rrethin e Gjakovës fermerët kanë nisur korrje-shirjet. Këtë vit, thonë se është nisur më herët për shkak të motit të mirë. Ndërsa për rendiment thonë se është i mirë, por çmimi i grurit i ulët.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit fushata e korrje-shirjeve në Gjakovë ka filluar më herët. E gjithë kjo falë motit të mirë që ka mbretëruar ditëve të fundit, thotë drejtori për Bujqësi në këtë komunë, Gani Hajdari. Sipas tij, rendimentet e grurit janë shumë të larta, mirëpo çmimi i ulët po i dëmton fermerët në masë të madhe.

“Procesi po vazhdon të jetë i mirë. Prodhimi po shihet qartë në terren, ndërsa sipas statistikave të kombajnave, rendimenti është rreth 5500-6000 kg për hektar. Mirëpo, fermerët kanë shqetësim për shitjen e grurit, ku çmimi i kilogramit është vetëm 18 centë”, tha Hajdari, raporton RTKlive.

Edhe fermerët e kësaj komune janë shprehur shumë të pakënaqur me çmimin e grurit. Agron Beqaj, fermer nga Rracaj, i cili ka të mbjellë mbi 50 hektarë me grurë, thotë se çmimi i ulët do t’i dëmtojë shumë.

“Domethënë, 1 kg grurë shitet për 18 centë, ndërsa 26 centë kushton kilogrami i mbetjeve të grurit që përdoren për ushqim të kafshëve. Kjo është turp! Me 18 centë për kilogramin e grurit dhe 26 centë për krundet, më shumë nuk mund të jetë. Ja vlen që kilogrami të jetë rreth 25 centë, që të nxitë popullin të punojë dhe fermerët. Ndoshta kështu mund të kthehet ndonjë djalë i ri nga jashtë, sepse me 18 centë nuk di si ia kanë dalë të bëjnë llogarinë”, tha Beqaj.

“Kam dy hektarë të mbjellë me grurë. Rendimenti është shumë i mirë, pagesat janë në rregull, por çmimi është shumë i ulët. Për këtë arsye nuk kemi shumë vullnet të punojmë, por shpresojmë që të na ndihmojnë pak dhe të bëhet më mirë”, tha Avdyl Rexhaj, fermer nga Dobroshi.

Sipas zyrtarëve komunalë, në komunën e Gjakovës këtë vit do të korren mbi 4500 hektarë me grurë.

Related Posts