Pavarësisht zërave të vazhdueshëm që e lidhin Rodrygo Goes me një transferim të mundshëm në Premier League, veçanërisht te Arsenali, situata reale në zyrat e Real Madridit është krejtësisht ndryshe. Klubi madrilen konfirmon se nuk ka pranuar asnjë ofertë zyrtare për sulmuesin brazilian.

Sipas gazetës MARCA, klubi është i hapur për të shqyrtuar çdo propozim që do të përputhej me vlerën e tregut të lojtarit, e cila aktualisht vlerësohet rreth 80 milionë euro. Megjithatë, deri tani asnjë klub nuk ka shfaqur interes konkret, as nuk ka kontaktuar zyrtarisht me “Los Blancos”.

Rodrygo, i cili iu bashkua Realit në vitin 2018 nga Santos për 45 milionë euro, ka dyfishuar vlerën e tij në këto vite. Por forma e tij e fundit ka ngritur pikëpyetje. Aktivizimi i tij në Kampionatin Botëror për Klube ka qenë i kufizuar, si për arsye taktike, ashtu edhe për shkak të konkurrencës së ashpër në repartin ofensiv, ku Vinicius dhe Gonzalo García janë preferuar nga trajneri Xabi Alonso, ndërsa rikthimi i Mbappé mund ta vështirësojë edhe më tej pozicionin e tij.

Burime të brendshme nga klubi theksojnë se Rodrygo duhet të rikthejë formën më të mirë nëse dëshiron të mbetet një pjesë kyçe e skuadrës, ose të rrisë vlerën e tij për një transferim të mundshëm.

Ndërkohë, në Valdebebas mbretëron qetësia. Nuk ka as ngutje e as vendime të nxituara – klubi po pret, qoftë një reaksion sportiv nga lojtari, apo një ofertë konkrete që afrohet me pritshmëritë financiare. Deri tani, asnjëra nuk ka ndodhur.

Siç theksojnë nga brenda klubit: “Sezoni sapo ka filluar.”

The post Rodrygo Goes ende pa ofertë zyrtare, Real Madridi pret zhvillime appeared first on Gazeta Express.

Related Posts