Sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 33 palestinezë në Gazë, kanë njoftuar zyrtarët e spitalit të dielën, teksa ushtria izraelite ka thënë se ka goditur mbi 100 objektiva në enklavë gjatë ditës së kaluar.

Sulmet kanë ardhur teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po përgatitet të fluturojë për në Uashington për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, përmes të cilave synohet shtyrja përpara e përpjekjeve për armëpushim, raporton AP.

Një zyrtar izraelit ka thënë se Kabineti izraelit i Sigurisë ka miratuar të shtunën në mbrëmje dërgimin e ndihmës në pjesën veriore të Gazës, ku civilët po vuajnë nga mungesa akute ushqimore.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paraqitur një plan për një armëpushim fillestar 60-ditor që do të përfshinte një lirim të pjesshëm të pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të një rritjeje të furnizimeve humanitare të lejuara në Gazë. Armëpushimi i propozuar bën thirrje për bisedime për t’i dhënë fund tërësisht luftës 21-mujore.

Njëzet persona janë vrarë dhe 25 janë plagosur pasi sulmet izraelite goditën dy shtëpi në qytetin e Gazës, sipas Mohammed Abu Selmia, drejtorit të Spitalit Shifa që i shërben zonës.

Në Gazën jugore, 13 palestinezë janë vrarë nga sulmet në Muwasi, një zonë në Mesdheun e Gazës ku shumë njerëz të zhvendosur jetojnë në tenda, kanë thënë për Associated Press zyrtarët në Spitalin Nasser në Khan Younis. Pesë nga të vdekurit i përkisnin të njëjtës familje sipas spitalit.

Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur 130 objektiva në të gjithë Rripin e Gazës në 24 orët e fundit.

Related Posts