Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Gashi përmes një shkrimi në Facebook.
Ai ka thënë se jep dorëheqje nga strukturat e AAK-së por jo nga qeverisja lokale e Obiliqit.
“Jap dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësit e mija brenda strukturës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, ndërsa do të vazhdojë angazhimin tim si kryetar i komunës së Obiliqit”, ka shkruar ai në Facebook.
Gashi ka thënë se kjo dorëheqje vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq, pas dorëheqjes se nëntë asamblistëve të Kuvendit Komunal, kryesisë së degës, forumit rinor dhe nga 21 nëndegë, 20 prej tyre iu kanë bashkuar kësaj dorëheqjeje dhe shumë aktivistë me të cilët ka rrugëtuar së bashku.
“Mos-realizimit të premtimeve të nivelit qendror për zbatimin e tërësishëm të Ligjit për Obiliqin e në veçanti në aspektin e çështjes së punësimit të qytetarëve të Obiliqit,një kërkesë kjo e kahmotshme e banorëve si dhe duke patur për bazë që edhe nevojat e KEK-ut janë të domosdoshme, pavarësisht angazhimit tim të pandalshëm që kjo çështje të realizohet asnjëherë nuk është krijuar një zgjidhje për këtë problem, si dhe, si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve të Obiliqit që angazhimin tim politikë ta vazhdojë si kryetar i pavarur” ka shkruar ai.
Ai duke i renditur punët e tij që ka kryer gjatë qeverisjes ka njoftuar se aktivitetin politik do ta vazhdojë si kryetar i pavarur.