Një tragjedi e tmerrshme tronditi Prilepin, pasi tre anëtarë të një familjeje, përfshirë një fëmijë 13-vjeçar, u gjetën të vdekur me plagë nga arma e zjarrit në shtëpinë e një të afërmi në qendër të qytetit. Ministria e Brendshme konfirmoi se ishte një incident i rëndë sigurie, në të cilin një mjet shpërthyes u hodh edhe ndaj oficerëve të policisë.

Ngjarja filloi të shtunën në mbrëmje, rreth orës 21:20, kur 43-vjeçarja K.C. raportoi në Departamentin e Policisë së Prilepit se bashkëshorti i saj P.C. (43) dhe djali i tyre 13-vjeçar ishin larguar nga shtëpia, me dyshimin se mund të kishin shkuar në shtëpinë e të afërmit të tyre P.G. (62).

Policët shkuan menjëherë në adresën e treguar, por askush nuk e hapi derën. Me urdhër të prokurorit publik, dera u hap me forcë. Në momentin kur policia hyri në ndërtesë, një person hodhi një granatë dore drejt tyre. Bomba filloi të nxirrte tym, por, për fat të mirë, nuk shpërtheu.

Zyrtarët policorë u tërhoqën menjëherë nga shtëpia, por ndaj tyre u qëlluan nga brenda. Në shkëmbimin e zjarrit, policia u kundërpërgjigj me armët e shërbimit.

Disa orë më vonë, në orën 01:35 të mëngjesit, një ambulancë mbërriti në vendngjarje, ku mjekët shpallën të vdekur tre persona – babain P.C., të miturin 13-vjeçar dhe të afërmin 62-vjeçar P.G.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se po merren të gjitha masat e nevojshme për të sqaruar plotësisht rastin, dhe inspektimi në vendngjarje ka përfunduar në koordinim me prokurorin publik.

Related Posts