Komuna e Prishtinës ka shënuar një mori shkeljesh gjatë vitit 2024, të cilat janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Plot 27 raste të ndryshme nga ndarja e kontratave pa procedura, pagesa pa aprovim e deri te subvencione të dyshimta, tregojnë një menaxhim financiar që ka dalur jashtë kornizës ligjore, shkruan Demokracia.com.
Ndër gjetjet më serioze janë:
-
Komuna kishte hyrë në obligime kontraktuale prej mbi 1.3 milionë eurosh pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore.
-
Janë lëshuar leje ndërtimi pa u kryer procedurat e prokurimit dhe pa nënshkruar kontratat.
-
Është dhënë një paradhënie prej 5.2 milionë eurosh në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.
-
Në 31 raste, pagesa në vlerë prej mbi 4.3 milionë eurosh janë bërë jashtë procedurave të parapara ligjore për urdhërblerje dhe pranimin e faturave.
-
Në 17 raste, janë bërë ndryshime në projektet kapitale pa u miratuar nga Kuvendi Komunal.
ZKA ka evidentuar gjithashtu se në disa raste janë lidhur kontrata të reja për shërbime të njëjta, edhe pse kontrata ekzistuese ishte ende aktive një praktikë që mund të nënkuptojë ndarje të qëllimshme të kontratave për të shmangur procedurat e tenderimit.
Megjithatë, edhe pse një pjesë e këtyre rasteve mund të përmbajnë elemente të dyshimit për vepra penale, nuk dihet ende nëse ndonjëra prej tyre është referuar në Prokurorinë e Shtetit.
ZKA, në një përgjigje për Demokracia.com, ka bërë të ditur se përmes Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve është në proces të shqyrtimit të raporteve të auditimit për sezonin 2024/2025, përfshirë këtu edhe raportin për Komunën e Prishtinës. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të vendoset nëse ndonjë prej këtyre rasteve do të dërgohet për hetim penal.
“Për gjetjet për të cilat vlerësohet se mund të përmbajnë elemente të dyshimit të veprës penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Prokurorit të Shtetit do të njoftohet Prokurori i Shtetit për hetim të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
ZKA thekson se, në përputhje me ligjin dhe marrëveshjen e bashkëpunimit, një përmbledhje e përgjithshme për rastet që do të referohen në Prokurori do të bëhet publike pas përfundimit të analizave.
“Për gjetjet për të cilat vlerësohet se mund të përmbajnë elemente të dyshimit të veprës penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Prokurorit të Shtetit do të njoftohet Prokurori i Shtetit për hetim të mëtejshëm. Për aq sa lejohet me Ligj dhe marrëveshjen e bashkëpunimit, një përmbledhje e përgjithshme e rasteve të përcjella për hetim te Prokurori i Shtetit do të prezantohet për opinionin publik pas përfundimit të këtij procesi”.
Demokracia.com ka raportuar më herët për disa nga shkeljet e evidentuara nga auditori, përfshirë kontratat pa procedura dhe pagesat pa mbulesë buxhetore, të cilat përbëjnë bazë për hetime të mundshme penale.