Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transafere është duke shqyrtuar Programin e Shpenzimeve të RTK-së.
Gjatë mbledhjes, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Visar Korenica, ka përmendur punësimin e familjarëve në Radio Televizionin e Kosovës, për të cilat ka raportuar KALLXO.com.
Këtyre u është kundërpërgjigjur, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.
Kastrati i cili nuk i ka pritur mirë deklaratat e Korenicës ka thënë se është e drejtë e tij se kë e punëson, duke shtuar se punësimi i Leotrim Thaçit, nipit të ish presidentit Hashim Thaçi si menaxher i njësisë për të drejtat autoriale, iu ka kursyer 55 mijë euro.
“Nuk është mirë me hy me emra, Leotrim Thaçi se po doni me sulmu, i njëjti është punësu tre muaj ditë është punësu si ekspert i fushës i cili e ka bërë një ekspertizë për të drejtat e autorit dhe i kemi kursy 55 mijë euro. I ka marrë tri rroga nuk është më në punë. Kam drejt dhe unë vendosi për atë punë, nuk mundem me ardh me të kallxu ty unë kon me e punësu. Është punë e menaxhmentit kon me e punësu”, ka thënë Kastrati.
Sali Bashota kryetar i Bordit të RTK-së ka mohuar se dhëndrri i tij ka punuar në RTK gjatë kohës që ai është kryesues i Bordit.
“Nuk punon në RTK dhëndrri, edhe prej që kam ardh kryetar bordi nuk ka punu, 3-4 muaj. Ka punu po nuk punon, dhe është ndërpre, si jam bërë kryetar bordi kam kërkuar që të mos punojë aty. Asnjë familjar i imi nuk punon në RTK”, ka thënë Bashota.
KALLXO.com gjatë këtij muaji ka publikuar hulumtimet për punësimin e nipit të Hashim Thaçi si menaxher i linjës për të drejtat autoriale me kontrate mbi veper dhe dhëndrrin e Sali Bashotës si si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.