Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit ekonomik.
Gjatë takimit, Osmani u shpreh se Gjermania është shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe në avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë.
Ajo konfirmoi edhe gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz dhe vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane.
Duke folur për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, presidentja theksoi: “Kërkojmë mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit, veçanërisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pasi ky proces është thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”
Në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, Osmani theksoi se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës.
Gjithashtu, ajo vuri në pah nevojën për një qartësi strategjike dhe afate të përcaktuara në këtë proces, si dhe rolin e rëndësishëm që Gjermania mund të ketë në largimin e masave të padrejta ndaj Kosovës.
Në fund të takimit, Presidentja Osmani theksoi edhe nevojën për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
“Anëtarësimi në NATO do të garantonte sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe Evropë”, u shpreh Osmani.
Takimi u përmbyll me konfirmimin e të dy palëve për vazhdimin e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale në dobi të Kosovës dhe rajonit.