Ndërsa dalin më shumë detaje rreth mënyrës sesi Paris Saint-Germain po përpiqet të detyrojë Gianluigi Donnarumma të largohet, raportohet se klubi parisien është i gatshëm të pranojë një ofertë prej 20-30 milionë eurosh nga Manchester United, Chelsea apo Manchester City.
E ardhmja e portierit italian në Paris është vënë seriozisht në dyshim pasi palët nuk arritën marrëveshje për rinovimin e kontratës aktuale, e cila skadon në qershor të vitit 2026.
Duke parë situatën, PSG ka lëvizur shpejt në afatin kalimtar, duke investuar 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e Lucas Chevalier, që pritet të jetë zëvendësuesi i Donnarummës.
Mesazhi i PSG-së është bërë edhe më i qartë sot, pasi portieri italian u la jashtë skuadrës që udhëtoi drejt Italisë për ndeshjen e Superkupës së Evropës ndaj Tottenham Hotspur, që do të luhet të mërkurën në Udine.
Sipas RMC Sport, kjo nuk është e vetmja lëvizje e klubit për ta shtyrë lojtarin drejt daljes, Donnarumma është lënë mënjanë edhe gjatë seancave stërvitore, duke mos qenë pjesë e grupit kryesor.
Mesazhi është i qartë: PSG nuk do ta lejojë ta kalojë sezonin në stol për të larguar më pas si lojtar i lirë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e portierit italian kanë bërë të ditur se ai nuk do të largohet nën presion dhe se do të pranojë një transferim vetëm në kushte të përshtatshme për të.
Destinacioni më i mundshëm duket të jetë Liga Premier, pasi asnjë klub në Itali nuk mund të përballojë pagën prej 12 milionë eurosh në sezon që përfiton Donnarumma./