Grupi për Ballkan (BPRG) përmes një njoftimi në Facebook ka treguar se kush do të jenë ekspertët që do t’i bashkohen kryeministrit Albin Kurti në procesin e dialogut.
Përmes një komunikate për media, Grupit për Ballkan ka treguar se kush janë ekspertët e angazhuar deri më tani.
“Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala. Ekspertë të tjerë mund të ftohen dhe angazhohen varësisht nevojave të qeverisë dhe dinamikës së procesit të dialogut”, thuhet në njoftimin e Grupit për Ballkan.
Grupi për Ballkan, Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet e angazhimit të ekspertëve në procesin e dialogut me Serbinë.
“Ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog. Ekspertët e jashtëm nuk kanë rol përfaqësues apo udhëheqës dhe kontraktohen vetëm nga Grupi për Balkan”, thuhet tutje në njoftim.