Publiku e njeh si një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, por sot Afrim Muçiqi solli një rrëfim ndryshe — më personal dhe plot emocion. Në studion e “Ritme Verore” të Radio Vala Rinore, ai hapi zemrën për momentet që i kanë shënuar karrierën dhe zbuloi surpriza që pritet t’i sjellë shumë shpejt për fansat e tij besnikë.

Në një bisedë të ngrohtë me gazetaren Erzana Fazliu, artisti foli për këngën që i solli suksesin më të madh dhe emocionet e veçanta kur publiku e pranoi me kaq dashuri. Ai tregoi se aktualisht po punon për projekte të reja muzikore, të cilat pritet të publikohen së shpejti. “Pas kaq vitesh në skenë, dashuria për muzikën dhe për publikun më mban gjithmonë aktiv. Unë vetëm sa kam filluar tani,” u shpreh ai.

Një nga kujtimet më të paharrueshme për Afrim Muçiqin ka qenë një koncert në qytetin e tij të lindjes, Podujevë, ku publiku këndoi në një zë të gjitha hitet e tij, sidomos të rinjtë. Ky moment e emocionoi thellë dhe i dha forcë për të vazhduar rrugëtimin e tij artistik.

Për të ardhmen, Afrim Muçiqi premton se do të sjellë këngë të reja që lidhen ngushtë me zemrën e publikut, duke mbetur aktiv dhe i pranishëm në skenë për shumë vite të tjera.

Related Posts