Njësia Speciale Operative (NJSO) e Policisë së Kosovës po monitoron nga afër punishten ku po ndërtohen dy ura të reja mbi lumin Ibër.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Telegrafin bëri me dije se pjesëtarët e NJSO-së janë të angazhuar për të garantuar sigurinë e përgjithshme në këtë zonë.

“Për sigurinë e përgjithshme”, u shpreh shkurt Elshani.

Ndërkaq, sot zëvendësministri i Infrastrukturës në detyrë, Hysen Durmishi tha se sot është duke u shtruar shtresa e asfaltit mbi urë, ndërsa nesër planifikohet vendosja e sinjalistikës.

Durmishi, në një prononcim  tha se po presin raportin preliminar të testimeve të urës për të siguruar që ajo është gati për përdorim.

“Jemi duke punuar intensivisht, sot po bëhet shtresa e asfaltit, nesër do të vendoset sinjalistika dhe po presim raportin preliminar të testimeve”, tha Durmishi.

I pyetur nëse pritet që ura të hapet në fillim të shtatorit, ai u shpreh me optimizëm: “Gjithsesi në fillim të shtatorit”.

Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ndërtimi i këtyre urave është pjesë e një projekti më të gjerë infrastruktural që synon përmirësimin e lidhjeve ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Related Posts