Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka komentuar dorëheqjen e Liburn Aliut, nga posti i ministrit të Infrastrukturës.
Basha tha se e çmon kontributin e tij në LVV, e poashtu edhe si ministër.
“Unë e lexova në media që ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, për shkak të pakënaqësive për zgjedhjen time. Nuk dua të komentoj shumë, përveç se e çmoj kontributin e tij si aktivist i LVV-së, siç e çmoj kontributin e secilit që ka dhënë shumë për LVV. Po ashtu e çmoj edhe kontributin e tij si ministër, dhe poashtu është e natyrshme me pas pakënaqësi mes vete. Ju e dini se kemi pasur mospajtime dhe debate të hapura në Kuvend. Mendoj kjo èshtë demokracia, pasi edhe në familje ndodhin mospajtime, por e rëndësishme është të vazhdohet rrugëtimi përpara”, tha ai.
Ndryshe, ditën e mërkurë, Aliu njoftoi për dorëheqjen e tij nga pozita e ministrit, duke shprehur haptazi pakënaqësitë me zgjedhjen e Bashës si kryeparlamentar
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.
Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka deklaruar Aliu.