Kampioni i Kosovës në futboll, FC Drita, ka zyrtarizuar përforcimin më të ri në skuadër, duke sjellë energji të freskët në mesfushë.
Klubit bardhekaltër i është bashkuar 19-vjeçari Mamadou Ben Zidane, i cili vjen nga ekipi francez SC Bastia, aty ku ka zhvilluar hapat e parë të karrierës së tij.
Në njoftimin e bërë publik, Drita ka shprehur entuziazmin për ardhjen e talentit të ri, duke e konsideruar një investim të rëndësishëm për të ardhmen:
“FC Drita ka kënaqësinë të njoftojë transferimin e lojtarit të ri në radhët tona, Mamadou Ben Zidane. Mesfushori 19-vjeçar i bashkohet klubit tonë nga ekipi francez SC Bastia, duke sjellë energji të re dhe potencial të madh për të ardhmen. Me talentin dhe aftësitë e tij, Zidane pritet të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën bardhekaltër në garat vendore dhe ndërkombëtare. FC Drita i uron mirëseardhje Zidanes-s në familjen bardhekaltër dhe i dëshiron shumë suksese në këtë kapitull të ri të karrierës së tij. Mirë se vjen, Mamadou!”, thuhet në komunikatën e klubit.