“Miushi” i parë i eksperimentit
Modelin e “ngadalësimit të kohës” e ka raportuar për herë të parë Mauricio Montalbini, sociolog dhe speleolog. Në vitin 1993, ai kaloi 366 ditë në një shpellë pranë qytetit Pesaro, në Itali, e ndërtuar në bashkëpunim me NASA-n për të simuluar misionet hapësinore. Kur doli nga shpella, ai ishte i bindur se kishte kaluar vetëm 219 ditë.
Cikli i tij i gjumit dhe zgjimit pothuajse ishte dyfishuar. Studime të mëvonshme treguan se, në errësirë, shumica e njerëzve me kohë përshtaten me një ritëm 48-orësh: rreth 36 orë aktivitet, të ndjekura nga 12 orë gjumë. Pse ndodh kjo, mbetet ende e paqartë, transmeton Telegrafi.
Ora e brendshme
Normalisht, bioritmi njerëzor është i lidhur me ciklin natyror të ditës dhe natës prej rreth 24 orësh. Por çfarë ndodh kur njeriu izolohet plotësisht nga drita dhe shenjat e jashtme të kohës, duke u përballur me një “ditë” të zgjatur prej 48 orësh? A përshtatet organizmi apo ndodhin çrregullime me pasoja për shëndetin?
Nga shpella drejt hapësirës
Kjo pyetje ka intriguar shumë studiues, mes tyre edhe speleologu francez Michel Siffre. Në vitin 1962, ai kaloi dy muaj në një shpellë pa orë, pa kalendar dhe pa kontakt me botën e jashtme. Ai vetë caktonte ritmin e gjumit dhe zgjimit dhe regjistronte ndryshimet fizike e mendore.
Qëllimi i tij ishte të kuptonte nëse njeriu ka një “orë të brendshme” që rregullon bioritmin, pavarësisht nga ndikimet e jashtme. Rezultatet ishin befasuese: bioritmi i tij mbeti rreth 24 orë, por perceptimi i kohës u çrregullua. Ai besonte se kishte kaluar vetëm një muaj, jo dy. Parametrat e trupit të tij, temperatura, tensioni i gjakut, pulsi dhe hormonet, luhateshin sipas orës së brendshme, jo sipas kohës reale.
Siffre përfundoi se njeriu ka një mekanizëm të lindur që ruan bioritmin edhe në izolim të plotë.
Roli i dritës dhe hormoneve
Studime të mëvonshme kanë vërtetuar ekzistencën e ritmit cirkadian, të përcaktuar nga gjenet, por i ndikuar fort nga drita.
▪ Në prani të dritës, truri lëshon kortizol, hormon që na mban zgjuar e aktiv.
▪ Në errësirë, prodhohet melatonina, hormoni i gjumit që relakson trupin.
Këto hormone janë thelbësore për sinkronizimin e orës së brendshme me kohën e jashtme. Kur njeriu izolohet nga drita, sinkronizimi prishet, duke shkaktuar pagjumësi, luhatje humori, rënie të përqendrimit e kujtesës, dobësim të imunitetit dhe rritje të rrezikut nga depresioni, ankthi, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.
Prandaj është jetike të ruajmë një ritëm të rregullt gjumi e zgjimi, të ekspozohemi ndaj dritës ditore dhe të qëndrojmë në errësirë gjatë natës. Kjo e mban bioritmin stabil dhe organizmin në funksion optimal.
Edhe tek personat e verbër
Edhe njerëzit e verbër kanë një orë të brendshme që rregullon ritmin cirkadian. Por, tek disa prej tyre, ajo prishet pasi mungojnë sinjalet e dritës që janë “sinkronizuesi” kryesor i bioritmit. Kjo sjell pagjumësi, përgjumje ditore, depresion, çrregullime hormonale e të tjera probleme shëndetësore.
Për këtë arsye, rekomandohet që personat e verbër të kenë orar të rregullt gjumi dhe të përdorin dritë artificiale ose melatoninë për të ndihmuar në rikthimin e balancës së bioritmit.