Komuna e Deçanit është përfituese e iniciativës WiFi4WB, një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, përmes programit EU4Digital. Ky projekt do t’i sjellë qytetarëve dhe vizitorëve të Deçanit qasje falas në rrjetin publik Wi-Fi në disa pika strategjike të komunës.

Sipas njoftimit, rrjeti publik do të vendoset në këto lokacione:

  • Qendra e qytetit – Deçan, hapësirë e frekuentuar nga qytetarë dhe turistë.
  • Qendra Turistike – Deçan, një pikë orientuese për turistët vendorë dhe të huaj.
  • Qendra Rinore “Fetnete Ramosaj”, një hapësirë multifunksionale ku zhvillohen aktivitete rinore, kulturore dhe sportive.

Zbatimi i projektit do të realizohet nga Vala Telekomi i Kosovës, që do të kujdeset për vendosjen dhe funksionalizimin e rrjetit.

Ky hap vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm për dixhitalizimin, modernizimin dhe lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Deçanit, duke ofruar lidhje të shpejtë e të sigurt për komunitetin dhe vizitorët./Rilindjashqiptare/

Related Posts