Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të premten për të diskutuar incidentin me dronë që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë – një zhvillim që presidenti polak Karol Nawrocki e përshkroi si një përpjekje nga Rusia për të “testuar aftësinë tonë për t’u përgjigjur” dhe reagimin e NATO-s.

Polonia njoftoi se ka rrëzuar dronë që sipas saj kanë hyrë nga lindja, duke shkelur hapësirën ajrore të vendit. Në përgjigje, vendi ndaloi fluturimet me dronë dhe kufizoi trafikun ajror të vogël përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe Ukrainën, raporton Reuters.

Ky është rasti i parë i njohur publikisht ku një anëtar i NATO-s ka qëlluar një objekt gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë. Gjermania deklaroi të enjten se do të forcojë praninë e saj në kufirin lindor të aleancës, si përgjigje ndaj inkursioneve.

Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar çdo qëllim për të goditur objektiva në Poloni dhe ka refuzuar të komentojë më tej incidentin.

Një komandant i lartë i NATO-s është shprehur se ende nuk është e qartë nëse inkursionet ishin të qëllimshme.

Incidenti ka rritur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë, duke nxitur thirrje për sanksione të reja ndaj Moskës dhe duke vënë në pikëpyetje angazhimin e saj në procesin e paqes në Ukrainë.

Sipas Ministrit polak të Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deri më tani janë rikuperuar mbetjet e 16 dronëve, ndërsa mbështetja logjistike e Polonisë për Ukrainën mund të ketë qenë ndër motivet e inkursioneve.

Në operacionin për rrëzimin e dronëve janë përfshirë avionë F-16 polakë, F-35 holandezë, AWACS italianë dhe aeroplanë furnizimi të NATO-s.

Related Posts