Një ditë para hapjes së fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, misioni i OSBE-së në Kosovë iu bën thirrje aktorëve politikë, mediave dhe institucioneve publike, përfshirë autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore, që të nxisin një mjedis fushate të respektueshëm, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me ligjin.

Ky mision përmes një njoftimi për media bën thirrje për përmbajtje nga retorikat që mund të nxisni armiqësi, diskriminim ose dhunë.

“ Duke njohur angazhimin e gjatë të OSBE-së për ndërtimin e demokracisë në Kosovë, Misioni u bën thirrje subjekteve politike që të zhvillojnë fushatat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse, duke u përmbajtur nga retorika që mund të nxisë armiqësi, diskriminim ose dhunë”.

Ky mision vëren rëndësinë kritike të raportimit faktik të medias gjatë cikleve zgjedhore dhe u bën thirrje mediave dhe institucioneve të mbështesin standardet më të larta etike dhe respektimin dhe zbatimin e plotë të kodeve përkatëse të sjelljes.

“Kjo qasje do të ishte në përputhje me normat e vendosura demokratike dhe do të përforconte domosdoshmërinë e ofrimit të informacionit të paanshëm, të saktë dhe të balancuar, duke u mundësuar të gjithë njerëzve në Kosovë të bëjnë zgjedhje qytetare të informuara dhe të përgjegjshme”.

Related Posts