Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me dëshminë e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, e cila po zhvillohet sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në kuadër të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu tha se kjo ditë shënon fillimin e një etape të re për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot nis një kapitull i ri për UÇK-në në Hagë! E vërteta do të ndriçojë, dhe do të turpërohen ata që hodhën baltë mbi të shenjtën UÇK!”, shkroi ajo.
Dëshmia e Rubin – një figurë kyçe në diplomacinë amerikane gjatë luftës në Kosovë – pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e Rambujesë dhe rolin e UÇK-së në atë periudhë. Ai është një nga dëshmitarët e ftuar nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit.
Seanca e sotme në Hagë ka nisur në orën 09:00 dhe po transmetohet me 45 minuta vonesë, siç është paraparë nga rregullorja e Gjykatës.