Modelja dhe ish-ylli i “Real Housewives”, Yolanda Hadid, ka prekur ndjekësit me një postim emocional në Instagram, kushtuar vajzës së saj, supermodeles Bella Hadid, e cila prej më shumë se një dekade po përballet me sëmundjen kronike Lyme.
Në shkrimin e gjatë, Yolanda pranoi se përjeton dhimbjen më të madhe si nënë, duke parë vajzën e saj të luftojë çdo ditë me këtë sëmundje:
“Të shohësh Bellan time duke luftuar në heshtje, më ka prerë thellë në bërthamën e pafuqisë. Sëmundja kronike neurologjike Lyme është një paaftësi e padukshme, e vështirë për t’u shpjeguar apo kuptuar nga kushdo.”
Ajo shtoi se dhimbja e saj personale nuk mund të krahasohet me dhimbjen e vajzës:
“Nuk ka fjalë të mjaftueshme për errësirën, dhimbjen dhe ferrin e panjohur që ajo ka përjetuar që nga viti 2013. Ajo nuk ka jetuar vërtet, por ka mësuar si të ekzistojë brenda burgut të trurit të saj të paralizuar.”
Yolanda tregoi se për shumë vite kishte ndaluar së ndari historinë e saj me publikun, pasi kishte nevojë të përqendrohej tek shërimi, larg mendimeve dhe paragjykimeve të të tjerëve. Por megjithatë, ajo premton se nuk do të ndalet së kërkuari një kurë:
“Pas pesëmbëdhjetë vitesh duke kërkuar kudo në botë, unë mbetem e vendosur të gjej një shërim që të jetë i përballueshëm për të gjithë.”
Në fund, ajo i drejtohet drejtpërdrejt vajzës së saj me një mesazh prekës dashurie dhe mbështetjeje:
“Jam shumë krenare për luftëtaren që je. Ti je e pamposhtur dhe e guximshme. Premtoj se do të jem pranë teje në çdo hap, pa marrë parasysh sa gjatë do të zgjasë kjo betejë. Zoti është i madh, mrekullitë ndodhin çdo ditë. Ti je një ‘Warrior’, një mbijetare.”
Ky mesazh i ndjerë i Yolanda Hadid ka prekur zemrat e miliona ndjekësve në mbarë botën, duke rikthyer vëmendjen tek sfida e vështirë e Bellës dhe tek realiteti i ashpër i sëmundjes Lyme – një sëmundje që shpesh mbetet e padukshme për të tjerët, por që shkatërron jetën e atyre që e vuajnë.