Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar një takim me profesionistë të shëndetësisë, ku është shprehur se përkujdesja shëndetësore për qytetarët do të jetë një ndër prioritetet kryesore të programit të tij.
Osmani theksoi se në ekipin e tij janë përfshirë tre kandidatë të përkushtuar nga fusha e shëndetësisë, të cilët do të japin kontributin e tyre katërvjeçar për avancimin e këtij sektori në komunë.
“Prioritetet tona janë të qarta: krijimi i një Qendre Stomatologjike, themelimi i një Qendre të veçantë të Urgjencës, hapja e qendrave të reja shëndetësore në qytet, si dhe ofrimi i analizave laboratorike të qasshme nga çdo vendbanim,” ka deklaruar Osmani.
Ai shtoi se me përvojën dhe vizionin e këtyre profesionistëve, Fushë Kosova do të bëjë një hap të madh përpara në përmirësimin e shëndetësisë, duke ofruar kushte më të mira për mirëqenien e qytetarëve.






















