Që nga sot, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ofrimi i procedurave estetike dhe mjekësore si mbjellja e flokëve, botoksi, filler-at dhe ndërhyrje të ngjashme, lejohet vetëm nga profesionistë të licencuar dhe të specializuar në fusha të caktuara mjekësore, shkruan Gazeta Infokus.
Në njoftim thuhet se këto procedura mund të ofrohen vetëm nga: Specialistë të Kirurgjisë Plastike, Specialistë të Dermatologjisë, Specialistë të Kirurgjisë Maksilofaciale dhe Specialistë të ORL-së.
“Ju informojmë se procedurat mjekësore (mbjellje e flokut , butox , filler) dhe procedura të tjera estetike mund të ofrohen vetëm nga Institucionet e licencuara nga Ministria e Shëndetësisë me këto profile shëndetësore: Specialistë të Kirurgjisë Plastike, Specialistë të Dermatologjisë, Specialistë të Kirurgjisë Maksilofaciale dhe Specialistë të ORL-së.”
Ministria thekson se çdo profesionist apo institucion që nuk është i pajisur me licencë përkatëse dhe nuk ka në përbërje specialistë nga fushat e sipërpërmendura nuk është i autorizuar të kryejë këto procedura.
“Çdo profesionist apo institucion që nuk ka të licencuara institucionin me profesionist të lartcekur nuk i lejohet ofrimi i këtyre procedurave mjekësore.”
Kryerja e tyre në mënyrë të paligjshme përbën rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe shkelje të ligjit.
The post Ministria e Shëndetësisë ndalon procedurat estetike pa licencë – Ja kujt i lejohet appeared first on Infokus.























