Rezultatet treguan se personat që ndiqnin më përpikmërisht dietën mesdhetare të pasur me produkte bimore kishin më pak gjasa të zhvillonin sëmundje të mishrave të dhëmbëve, veçanërisht ata që konsumonin më pak mish të kuq.
Për më tepër, një ushqyerje më e shëndetshme ishte e lidhur edhe me nivel më të ulët të markerëve inflamatorë në gjak, të cilët tregojnë nëse trupi është nën stres ose i dëmtuar. Ky është edhe një sukses tjetër shëndetësor që i atribuohet stilit mesdhetar të të ushqyerit.
“Gjetjet tona tregojnë se një dietë e ekuilibruar e tipit mesdhetar mund të zvogëlojë rrezikun nga sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe inflamacionet sistemike”, ka deklaruar parodontologu Giuseppe Mainas nga King’s College në Londër.
Dieta mesdhetare, e emërtuar sipas rajonit ku praktikohet më shpesh, favorizon frutat, perimet, drithërat integrale dhe peshkun, ndërsa kufizon ushqimet e përpunuara, produktet e qumështit në sasi të mëdha dhe mishin e kuq.
Kërkuesit theksojnë se studimi nuk ka ndjekur pjesëmarrësit në kohë, prandaj rezultatet tregojnë vetëm një lidhje dhe jo shkak-pasojë. Megjithatë, siç shtojnë ata, “kjo lidhje është mjaft e fortë për të justifikuar kërkime të mëtejshme.”
Sipas tyre, përbërësit aktivë të produkteve bimore ndihmojnë trupin në uljen e inflamacionit, ndërsa mishi i kuq ka efekt të kundërt. Edhe pse parodontiti shkaktohet kryesisht nga grumbullimi i pllakës bakteriale, mendohet se edhe përgjigjja imune e trupit luan rol të rëndësishëm.
“Vërejtëm se mund të ekzistojë një lidhje midis ashpërsisë së parodontopatisë, mënyrës së të ushqyerit dhe inflamacionit”, ka shtuar Mainas.
Këto aspekte duhet të merren parasysh në mënyrë holistike gjatë vlerësimit të trajtimit të pacientëve me parodontit.