Një trup gjykues në Los Angeles të ShBA-së e urdhëroi gjigantin farmaceutik amerikan “Johnson & Johnson” që t’ia paguajë 966 milionë dollarë familjes së një gruaje që ka vdekur nga mesothelioma, duke e cilësuar kompaninë përgjegjëse në rastin më të ri gjyqësor ku dyshohet se produktet e pudrës të kompanisë së njohur po e shkaktojnë kancerin.
Familja e banores tashmë të ndjerë të Kalifornisë, Mae Moore, e cila vdiq në vitin 2021 në moshën 88-vjeçare, e kishte paditur kompaninë po atë vit, duke pretenduar se produktet e pudrës për foshnja përmbanin fibra asbesti që i shkaktuan asaj një kancer të rrallë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trupi gjykues e urdhëroi kompaninë që të paguante 16 milionë dollarë si dëmshpërblim, ndërsa 950 milionë dollarë si ndëshkim për dëmin, sipas dokumenteve të gjykatës.
Shuma e ndëshkimit mund të zvogëlohet përmes apelit, pasi Gjykata Supreme e ShBA-së ka thënë se dënimi për dëme përgjithësisht nuk duhet të jetë më shumë se nëntë fish më i lartë se dënimi për dëmin e shkaktuar.
Erik Haas, nënpresident i çështjeve ligjore në nivel global i kompanisë “Johnson & Johnson”, tha se kompania planifikon që menjëherë ta apelojë vendimin, duke e quajtur atë “skandaloz dhe jokushtetues”.
Kompania ka thënë se produktet e saj janë të sigurta, nuk përmbajnë asbest dhe nuk shkaktojnë kancer. Mesothelioma është lidhur me shpërfaqjen ndaj asbestit.



























