Mbrojtësi i Kombëtares së Sllovenisë Zan Karnicnik beson se kombëtarja e tij mund ta mposhtë Kosovën në “Fadil Vokrri”.

Ai para udhëtimit për në Kosovë, ka deklaruar se pret një atmosferë djallëzore në “Fadil Vokrri”, megjithatë beson se Sllovenia do të largohet me pikët e plota.

“Djemtë dhe unë e dinë se çfarë na pret në ndeshjet e radhës ndaj Kosovës dhe Zvicrës. Ndeshja e parë në Prishtinë do të jetë shumë e rëndësishme, duhet të shkojmë për fitore dhe mendoj se jemi të përgatitur mirë”.

“Fillimi do të jetë shumë sfidues në Prishtinë. Pres që Kosova ta nis me eufori shkaku i fitores ndaj Suedisë në shtator. Detyra jonë është që të provojmë t’i qetësojmë sa më shumë dhe të luajmë me stilin tonë për pjesën e mbetur të ndeshjes”.

Ai ndër të tjera shtoi se i pëlqen që stadiumi do të jetë i plotë, pavarësisht që do të jetë ndër ndeshjet më të vështira.

“Pres një atmosferë djallëzore, por besoj se kemi kualitetin për ta tejkaluar nga momenti që gjyqtari fishkëllen dhe të jemi vetvetja. Gjithçka varet nga mënyra si luajmë”.

“Luajtëm ndeshje të mirë ndaj Suedisë duke u kthyer dy herë nga disavantazhi, ndeshja me Zvicrën ishte diçka krejt ndryshe. E thamë menjëherë në fytyrë të njëri-tjetrit dhe jam i sigurt se do të jemi në formën e duhur të premten në Prishtinë”.

Në fund, ai lavdëroi yllin e Manchester Unitedit Benjamin Sesko, i cili pritet të jetë titullar.

“Benjamin gjithmonë vjen në kombëtare me humor të mirë. Nuk ka qenë lehtë për të së fundmi. Pas një transferimi të madh, ka menaxhuar ta mbajë qetësinë dhe të ulë kokën, gjë që u dëshmua në dy ndeshjet e fundit, ku filloi të shënojë gola në fanellën e Manchester Unitedit. Besoj se është më lehtë tani te kombëtarja. E dimë se çfarë kualiteti ka dhe jam i lumtur se e ka dëshmuar ndeshje pas ndeshje që është yll botëror”, shtoi ai.

Përballja mes Kosovës dhe Sllovenisë do të fillojë nga ora 20:45 të premten./

Related Posts