Kenan Yildiz, një nga talentet më të mëdha të futbollit evropian, është futur në qendër të vëmendjes për afatin kalimtar veror. Sipas “La Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport”, ndër klubet që po ndjekin me interes yllin 20-vjeçar të Juventusit janë Barcelona, Arsenal dhe Chelsea, me londinezët që raportohet se kanë bërë lëvizjen më të fortë për të siguruar shërbimet e tij.
Yildiz, i cili në moshën 20-vjeçare mban fanellën legjendare me numrin 10 të Juventusit — dikur e veshur nga emra si Michel Platini, Roberto Baggio dhe Alex Del Piero — po konsiderohet si “xhevahiri” i ri i “Zonjës së Vjetër”. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së tij në ekip, ai renditet vetëm i 19-ti në listën e pagave të klubit, me një rrogë prej 1.7 milionë eurosh në vit, shumë më poshtë se yjet kryesorë të skuadrës.
Juventusi është i vetëdijshëm për këtë disnivel dhe synon t’i ofrojë një kontratë të re për ta bindur të qëndrojë, por deri tani nuk ka pasur hapa konkretë. Yildiz nuk kërkon të arrijë shifrat e Dusan Vlahovic (12 milionë euro në vit), por synon të afrohet te paga e Jonathan David, që arrin rreth 6 milionë euro.
“La Gazzetta dello Sport” raportoi se Barcelona po mbështetet në magjinë e fanellës blaugrana, të cilën e ka veshur dikur Leo Messi, për ta bindur lojtarin. Por ndërkohë, Chelsea, nën drejtimin e Enzo Maresca, ende nuk është dorëzuar pas ofertës verore prej 67 milionë eurosh, që u refuzua nga Juventusi. Arsenal po përgatitet gjithashtu të hyjë fuqishëm në garë.
Nga ana tjetër, “Tuttosport” flet për një “lëvizje të çmendur” të Chelseat, që thuhet se ka gati një kontratë gjigante për Yildiz. Kjo ka bërë që drejtuesit e Juventusit të nxitohen për të mbyllur sa më shpejt rinovimin me lojtarin, madje duke marrë parasysh edhe rritjen e pagës deri në 10 milionë euro në sezon për ta mbajtur në Torino.
Forma e Yildiz e justifikon gjithë këtë vëmendje. Ai ka qenë vendimtar si për Kombëtaren e Turqisë (3 gola në 2 ndeshjet e fundit), ashtu edhe për Juventusin (5 gola dhe 6 asistime në 12 ndeshje).