Çun Lajçi me vargje prekëse për aksidentin në Kroaci, Valon Sylen e quan gjakprishur.
10 persona të vdekur, 44 të lënduar, prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda, është bilanci i aksidentit të rëndë që ka ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë, ku një autobus me mërgimtar nga Kosova që po udhëtonin nga Frankfruti i Gjermanisë drejt Kosovës është vetaksidentuar.
Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe Diasporës, se të gjithë udhëtarët ishin nga Kosova, të cilët jetonin dhe punon në Gjermani.
E pas këtij aksidenti, aktori i njohur, Çun Lajçi ka shkruar disa vargje, ku ndër tjerash, gazetarin Valon Syla e quan “gjakprishun”, pasi ky i fundit njihet për ofendimet e rënda në drejtim të mërgimtarëve shqiptar.
Postimi i plotë:
Mërgimtarët e autobusit t’vërbuem
R.I.P
Atyne u janë sosë rrugët që kur moren rrugë
Kosovën deshten n’korrikun e kallun me marrë ngryk
e vet u korren si gruni n’mes rrugë
S’do t’i shohin ma as kullat as baballarët
tue i pritë të oxhaku me xhezve e filxhana
as lokët tue i tëhollua petët për pitet me purrih
atyne u janë thye rrugët që kur atdheun e bajtën me veti
sot vetëm u janë shterrë sytë e tha buzët
për krojet e Dardanisë
Për mërgimtarët e autobusit t’vërbuem
s’do t’ketë ma as Vlonë as Velipojë
as bjeshkë Sharri as Rugove
por as Evropë
gërrnaça s’do t’i therret ma ai gjakprishuni
që deri n’palcë i ofendoi
fushat janë ba varre n’rrugët pa rrugë
e kurrë ma s’do ta bartin Dardaninë me veti
atyne u janë sosë rrugët
neve shterrë detnat
Det, 25 korrik 2021