Ka një rritje domethënëse të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës, kështu thuhet në raportin “Pulsi Publik, edicioni i XX-të“, prezantuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Krahasuar me anketën e mëparshme të realizuar në dhjetor të 2020-së, kënaqshmëria e regjistruar me performancën e kabinetit të ekzekutivit është 59.1 për qind, gjë që përbën një rritje prej 37.8 pikë përqindje në krahasim kur kjo vlerë ishte 21.3 për qind.null
“Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit është 59.5 për qind nga 23 për qind në muajin dhjetor 2020, ndërsa kënaqshmëria me punën e Kryetarit të Kuvendit është rritur nga 46.7 për qind në muajin dhjetor 2020 në 59.2 për qind në muajin maj 2021. Niveli më i lartë i kënaqshmërisë prej 63.7 për qind është regjistruar me punën e Presidencës, krahasuar me 33.9 për qind të regjistruar në muajin dhjetor 2020”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.
Sipas UNDP-së, Indeksi i Demokratizimit është rritur në 1.58 pikë krahasuar me dhjetorin e 2020-së, kur kjo vlerë ishte 1.32 pikë, duke treguar se qytetarët janë të kënaqur me trendet demokratike në vend.
Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike (IBE) është rritur nga muaji dhjetor 2020 dhe ka arritur në 1.49 pikë, duke treguar një rritje të konsiderueshme të besimit të qytetarëve në perspektivën ekonomike të Kosovës.
Gjetjet tregojnë edhe rritje thelbësore të ndjenjës së sigurisë te të anketuarit, me 76.4 për qind që ndihen të sigurt kur janë në publik, krahasuar me 68.4 për qind të regjistruar në muajin dhjetor 2020.
“Tri problemet kyçe me të cilat Kosova aktualisht ballafaqohet janë papunësia me 34.3 për qind, varfëria me 19.3 për qind dhe korrupsioni me 9.3 për qind. Serbët e Kosovës e konsiderojnë papunësinë me 16.7 për qind, sigurinë publike dhe personale me 14.8 për qind dhe problemet e hapësirës urbane me 12.9 për qind si tri problemet më të mëdha, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës problemi më i madh është papunësia me 51.2 për qind, ndjekur nga varfëria me 18.9 për qind dhe furnizimi me energji me 11.4 për qind”, përfundon raporti.
Respondentët u shprehën mesatarisht të kënaqur me reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë COVID-19, me 43.6 për qind të kënaqur me masat e ndëmarra nga kabineti ekzekutiv.