Bonaparti e konsideronte Luvrin muzeun e vet duke vendosur aty një mori veprash arti, të destinuara për të qenë tijat, të sjella nga e gjithë bota. Napoleoni besonte se pronari i tyre ishte vetëm ai që e kuptonte dhe dëshironte artin dhe duke shfrytëzuar përparësinë e armëve, s’e mendonte kurrë se po bënte krim duke i marrë kryeveprat me rëndësi universale nga vendet ku i përkisnin.
Duke qenë se i përkisnin atij, i përkisnin gjithë botës, sipas këndvështrimit të tij. kur ndodhi kurorëzimi në 1802, Muzeu i Luvrit u quajt Muzeu i Napoleonit deri në vitin 1815 pas vdekjes së tij dhe më pas, trashëgimia e tij u dënua botërisht.
Shumë prej veprave të marra prej tij u kthyen më vonë në vendin e tyre. Shumë prej thesareve personale të perandorit dhe familjes nisën të zhduken, mes tyre, margaritarët e kurorës. Disa prej tyre që u gjetën përgjatë dy shekujve, iu kthyen Luvrit dhe u vendosën në Galerinë Apollo, ku edhe u vodhën nga katër grabitës.
Megjithatë, galeria e sotme s’është e njëjta, edhe pse bizhuteritë që ndodheshin atje ishin dëshmi të punës së jashtëzakonshme të argjendarëve të kurorës franceze. Më i rëndësishmi, Diamanti Regjent, 140.64 karatë, ndodhet ende atje, i rrethuar nga një aureolë që shpesh vërtitet mbi margaritarët me histori të vërteta. Diamanti u gjet rastësisht në një minierë në Indi në fillim të shek. XVII, më pas u dërgua në Angli dhe u pre nga duart e venecianëve. Në fillim të shek. XVIII, konsiderohej ende diamanti më i madh në botë.
Gjatë Revolucionit Francez u vodh. Më vonë u tha se ishte përdorur për të financuar fushatën italiane të Napoleonit, pas së cilës ai e vendosi në dorezën e shpatës në prag të kurorëzimit si perandor. Kështu shfaqet në portretin e Davidit në Luvër që tregon ceremoninë apokaliptike përmes stilit të tij të papërsëritshëm.
Vlera dhe domethënia e bizhuterive të tjera është më e pakët. Asnjëra s’është e jashtëzakonshme apo me bukuri e cilësi të rrallë. Por figurat historike të cilave u përkisnin, të gjitha të lidhura me Napoleonin, përbëjnë interes.
Disa bizhuteri vinin nga trashëgimia e Maria Amalia Burbon, gruas së Luigj Filipit që udhëhoqi nga viti 1830-1848. Një grua e jashtëzakonshme që kaloi një jetë të qetë dhe pa salltanete, që nuk kishte shije të veçantë për modën apo të njihej për luksin e shfrenuar. Një foto e famshme nga Antoine Claudet, e shkrepur pak para vdekes së saj në 1866, e tregon më shumë si Nënë Tereza sesa si mbretëreshë.
Mes sendeve të vjedhura janë bizhuteritë e Hortense de Beauharnais, vajzës së Jozefinës që më vonë u martua me vëllanë e vogël të Napoleonit dhe mbretin e Holandës, Luigj Bonapartin. Plot shpirt artistik e pasion (ishte muzikante), ajo zotëronte Diamantin Hortensia, një mrekulli që mbetet pjesë e koleksionit muzeal dhe nuk është vjedhur. Por objekte të tjera që i përkisnin asaj, një kurorë, një varëse me safirë dhe vathë, janë vjedhur.
Ndër to gjenden sende të Marie Luizës së Austrisë, gruas së Napoleonit që pasoi Jozefinën dhe që refuzoi të syrgjynosej me të. Si dukeshë e Parmës e Piacenza, ajo ishte administratore e aftë dhe e zonja, por nuk njihej për shije të hollë ndaj bizhuterive.
Disa nga bizhuteritë i përkisnin Mbretëreshës së Francës që vdiq në 1920, perandoreshës Eugénie, gruas së Napoleon III. Një grua e përfshirë në trazira dhe që nga rrethanat e vështira financiare u detyrua të shiste pjesën më të madhe të bizhuterive. Grabitësit duhet ta kenë ditur.