Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur nga gazetarët lidhur me atë në rast se partia e parë s’i ka votat për krijimin e Qeverisë, gjë për të cilën ajo tha se s’do të ngutej të jepte supozime të tilla për dështim.

Osmani deklaroi se nëse as partia e parë e as e dyta s’mund ta arrijnë krijimin e qeverisë, atëherë ajo theksoi se janë afatet e caktuara me Kushtetutë.

“Për atë çështje, nëse vjen deri në situatë të tillë, kur as partia e parë e as ajo që mund të ketë mundësinë e dytë nuk arrijnë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë, por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ka disa aktgjykime lidhur me këtë temë. Por pastaj afati që jepet është 30-45 ditë. Këtë datë do ta vendosja në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimit me partitë politike. Unë nuk do të ngutesha që të jap supozime se do të dështohet në krijimin e qeverisë, ka ende edhe pak kohë. Shpresojë të ketë angazhim maksimal për krijimin e Qeverisë së Kosovës, pasi qytetarët kanë votuar me 9 shkurt për krijimin e institucioneve”, tha ajo.

Për dërgimin në Kushtetuese nga Lista Serbe për pezullimin e punës së Kuvendit, Presidentja tha se diçka e tillë ishte e panevojshme.

Osmani tha se “vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”.

“Si totalisht të panevojshme, sepse e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat, siç e dini, e kanë vonuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri që do të kishte mandat të plotë kushtetues. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi që Kuvendi është konstituar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike, unë aty si presidente nuk mund të ndërhyj. Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, tha ajo.

Related Posts