Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut sollën një situatë të pazakontë në Kërçovë, ku megjithëse shumica e qytetarëve janë shqiptarë, më shumë vota i mori kandidati maqedonas. Arsyeja është ndarja e votës shqiptare mes tre kandidatëve, që bëri që asnjëri prej tyre të mos arrijë shumicën.

Tani, meqë asnjë kandidat nuk kaloi pragun prej 50%, ekziston mundësia e një bashkëpunimi mes kandidatëve shqiptarë në balotazh, çka mund ta ndryshojë rezultatin përfundimtar.

Në nivel shtetëror, sipas rezultateve jozyrtare, VMRO-DPMNE e Hristijan Mickoskit ka dalë fituese në 34 komuna, duke lënë pas koalicionin shqiptar VLEN me 9 komuna, LSDM me 8, BDI (AKI) me 5, dhe Partinë Demokratike të turqve me 1 komunë.

VMRO-DPMNE kryeson edhe në 19 komuna të tjera që shkojnë në balotazh, përfshirë Shkupin, ku kandidati i saj Orce Gjorgjievski është në epërsi.

Ndërkohë, brenda partive shqiptare tashmë kanë nisur kritikat e brendshme dhe kërkesat për dorëheqje, ku përmendet edhe Ali Ahmeti, pas rezultateve më të dobëta se në zgjedhjet e kaluara.

Related Posts