Një ditë pasi një kafe e pashërbyer u bë motiv për dy jetë të humbura në Manzë, policia ka zbardhur dinamikën e konfliktit që çoi në vrasjen e Flori Paluçit dhe Aranit Kurtit.
Policia e Shtetit njoftojnë se kanë vënë në pranga katër persona të përfshirë në konflikt, të cilët akuzohen për moskallëzim të krimit. “U arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit: Erald Cani, 25 vjeç dhe Ergi Kadiu, 21 vjeç, si dhe shtetasit Taulant Beqja, 37 vjeç dhe Emirjan Beqja, 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë“, bën me dije policia.
Po ashtu është shpallur në kërkim Daniel Pepa, autori i dyshuar i vrasjes së Flori Paluçit, por edhe një 30 vjeçar që akuzohet për mbajtje të armëve të zjarrit dhe moskallëzim krimi.
Policia konfirmon se debate fillimisht ka nisur mes 21-vjeçarit Daniel Pepa dhe kamerierit të lokalit e po ashtu viktimës Flori Paluçi. Pas përplasjes verbale, Pepa është larguar me automjet dhe është kthyer në vendngjarje i shoqëruar nga Aranit Kurti dhe Ergi Kadiu.
“Shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani). Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Flori Paluçi.). Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti”, sqaron policia.