Kombet e Bashkuara – Organizatë Ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945.
Qëllimi kryesor i OKB-së është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë.
Ajo është vazhduese e Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë.
Iniciatorë të krijimit të saj u bënë fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, ShBA dhe Britania e Madhe, të cilët në pikën e 11 të Kartës së Atlantikut të nënshkruar në 14 gusht 1941 dhe që përmbante principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, ranë dakord që pas luftës do të krijohej “një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme”.
Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit antifashist dhe antinazist u ritheksua nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre.
Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara”, u rimor në shqyrtim në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të ShBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, që u zhvillua në Moskë me 19 deri 30 tetor të vitit 1943.
Në Deklaratën mbi Sigurinë e Përgjithshme që u nënshkrua më pas edhe nga Kina, u formulua për herë të parë vendimi mbi krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa parimet, struktura dhe funksionet e organizatës u formuluan në Konferencën e Dumbarton Oaks (lokalitet afër Uashingtonit), që u zhvillua nga 21 gusht deri më 29 shtator të vitit 1944, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës. Konferenca përpunoi dokumentin e quajtur “…propozime për krijimin e organizatës ndërkombëtare të sigurimit të përgjithshëm”.


























