Ndeshja mes Rijekës dhe Sparta Pragës, e vlefshme për UEFA Conference League, u pezullua mbrëmë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Takimi filloi siç ishte planifikuar, por reshjet e mëdha të shiut e bënë të pamundur vazhdimin e lojës. Fillimisht ndeshja u ndërpre në minutën e 10-të për disa minuta, ndërsa më pas u pezullua plotësisht në fund të pjesës së parë.
Rezultati në momentin e ndërprerjes ishte 0:0, ndërsa mbeten edhe 45 minuta për t’u zhvilluar.
Në këtë përballje nga minuta e parë ishte aktiv edhe sulmuesi kosovar Albion Rrahmani, që po luan për skuadrën e Spartës së Pragës.
UEFA pritet të njoftojë orarin e ri për vazhdimin e ndeshjes.


























