Është arritur marrëveshja për koalicionin e madh mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komunën e Fushë Kosovës, që synon të hapë një kapitull të ri bashkëpunimi politik në dobi të qytetarëve.
Kryetari i degës së LDK-së në Fushë Kosovë, Besnik Osmani, ka bërë të ditur se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit të komunës.
“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit,” ka deklaruar Osmani.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, dy subjektet politike janë pajtuar të ecin bashkë për një qeverisje gjithëpërfshirëse, moderne dhe transparente, duke u angazhuar për realizimin e projekteve konkrete që prekin jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas Osmanit, ekipet e LDK-së dhe PDK-së kanë punuar gjatë ditëve të fundit në hartimin e planit qeverisës, ndërsa në koordinim të plotë me qendrat respektive është nënshkruar marrëveshja për qeverisjen e mandatin e ardhshëm.
“Kjo marrëveshje është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara, me një qeverisje në shërbim të qytetarëve,” shtoi Osmani.
Ky bashkëpunim pritet të krijojë stabilitet politik në Komunën e Fushë Kosovës dhe të hapë rrugën për realizimin e projekteve zhvillimore që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.


























