Babai i Awaab Ishak, një djalë dyvjeçar që humbi jetën në vitin 2020 për shkak të mykut të zi në banesën e tij sociale, tha se shpreson që ligji i ri që mban emrin e të birit të shpëtojë jetë të tjera.

Awaab vdiq nga një sëmundje e rëndë respiratore e shkaktuar nga ekspozimi i gjatë ndaj mykut në banesën familjare në Rochdale, Manchester. Hetuesit zbuluan se në trupin e tij kishte kërpudha dhe inflamacion të rëndë, me shkakun zyrtar të vdekjes të përcaktuar si “ndotje mjedisore nga myku”.

Familja Ishak kishte denoncuar për tre vite radhazi problemin tek autoritetet e strehimit, por pa asnjë reagim, raporton Sky News.

Vdekja e vogëlushit shkaktoi zemërim publik dhe çoi në miratimin e Ligjit të Awaab-it, i cili detyron pronarët e banesave sociale të riparojnë menjëherë çdo rrezik mjedisor dhe të sistemojnë familjet në ambiente të sigurta nëse është e nevojshme.

Faza e parë e ligjit hyn në fuqi sot në Angli. Ai kërkon që pronarët të hetojnë dhe të riparojnë çdo rrezik emergjent, si myku apo lagështia, brenda 24 orësh nga momenti që njoftohen. Nëse nuk e bëjnë, banorët kanë të drejtë të ndërmarrin veprime ligjore.

Nga viti 2026 ligji do të zgjerohet për të përfshirë edhe probleme të tjera, si rreziqet nga zjarri, të ftohtit ekstrem apo defektet elektrike, ndërsa në vitin 2027 do të mbulojë të gjitha rreziqet shëndetësore në banesat sociale. Qeveria planifikon që më vonë rregullat të zbatohen edhe për sektorin privat të qiradhënies.

Sekretari britanik i Strehimit, Steve Reed, tha se ligji i ri është një hap i madh përpara për miliona qiramarrës.

“Çdokush meriton një shtëpi të sigurt dhe të denjë. Historia e Awaab-it na kujton se kjo mund të jetë çështje jete a vdekjeje,” deklaroi ai.

Megjithatë, organizatat e bamirësisë paralajmërojnë se problemet me lagështinë dhe mykun po rriten, veçanërisht në familjet me të ardhura të ulëta. Një studim i fundit tregon se 23 për qind e banorëve që jetojnë në banesa sociale kanë probleme me mykun ose lagështinë.

Related Posts